Policia në Ferizaj nis planin operativ “Motoçikleta 2025”

Policia rajonale e Ferizajt tashmë ka nisur planin operativ “Motoçikleta 2025”, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion.
Ky plan operativ, vetëm gjatë së hënës ka rezultuar me konfiskimin e 9 motoçikletave të cilat nuk posedonin dokumentacione, ndërkaq ndaj vozitësve të tyre janë iniciuar procedura sipas ligjeve në fuqi
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se ky plan operativ është praktikuar edhe në të kaluarën, andaj do të vazhdon për disa muaj me radhë.
“Plani operativ “Motoçikleta 2025”, ka për qëllim vetëdijesimin e ngasësve të motoçikletave të cilët dalin në rrugë pa dokumentacione. Vetëm më datë 19 maj 2025 janë shqiptuar 13 gjoba dhe janë konfiskuar 9 motoçikleta për mungesë dokumentacioni dhe shkelje të rregullave të trafikut. Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Qytetarët inkurajohen të raportojnë shkeljet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrat e Policisë së Kosovës”, ka thënë Veseli.
Komente